ADPT Academy
Të gjitha lajmet
Industria··2 min lexim

Koordinimi i Instalimeve HVAC në Projekt: Vizitë te Eng Office

Në kuadër të masterklasës “Mbikëqyrja dhe Menaxhimi i Projekteve”, kandidatët e Adpt. Academy vizituan Eng Office për të diskutuar zhvillimin e fazave inxhinierike dhe koordinimin mes arkitekturës dhe makinerisë.

Koordinimi i Instalimeve HVAC në Projekt: Vizitë te Eng Office

Në një projekt arkitektonik, fazat e projektimit janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Arkitektura dhe disiplinat inxhinierike duhet të koordinohen që në fazat e hershme, në mënyrë që zgjidhjet teknike të zhvillohen në përputhje me projektin.

Kjo ishte tema e vizitës së kandidatëve të Adpt. Academy te partneri ynë Eng Office, në kuadër të komponentës së menaxhimit të projekteve të masterklasës “Mbikëqyrja dhe Menaxhimi i Projekteve”.

Eng Office, e themeluar në vitin 1994 dhe sot pjesë e Engroup, është e specializuar në sistemet e ngrohjes, ftohjes dhe ventilimit (HVAC). Përvoja e kompanisë në projekte të ndryshme solli një perspektivë praktike mbi mënyrën se si planifikohen dhe integrohen sistemet HVAC gjatë zhvillimit të një projekti.

Gjatë vizitës u diskutua për projektimin e makinerisë dhe bashkëpunimin ndërmjet arkitektit dhe inxhinierit të makinerisë. Kandidatët u ndalën te informacioni që nevojitet në fillim të kësaj faze, momenti kur duhet të përfshihet inxhinieri, pikat kryesore të koordinimit dhe mënyra se si menaxhohen ndryshimet gjatë zhvillimit të projektit.
Përmes shembujve nga puna e Eng Office, diskutimi u përqendrua edhe te sfidat që mund të shfaqen gjatë koordinimit të instalimeve HVAC me arkitekturën dhe te rëndësia e komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet profesionistëve.

Për kandidatët, vizita ishte një mundësi për të kuptuar më qartë se si menaxhohen fazat e një projekti dhe si vendimet teknike për sistemet HVAC ndikojnë në zhvillimin e projektit arkitektonik.

Bashkëpunimi me profesionistë dhe kompani të industrisë është pjesë e masterklasave të Adpt. Academy, duke u dhënë kandidatëve mundësinë të njihen nga afër me proceset, përgjegjësitë dhe sfidat që shoqërojnë projektet reale.

Faleminderit Eng Office për mikpritjen dhe për ndarjen e përvojës me kandidatët tanë.

Artikuj të tjerë